Rreth 60 për qind e qytetarëve të anketuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) vlerësojnë se institucionet e drejtësisë në Kosovë ndikohen nga politika. Rreth gjysma e të anketuarve thonë se nuk kanë vërejtur përmirësim në funksionimin e sistemit gjatë pesë viteve të fundit.
Gjetjet u prezantuan në edicionin e dhjetë të raportit RoLPIK, gjatë një tryeze për performancën e institucioneve dhe perceptimin e qytetarëve për sistemin e drejtësisë, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, tha se ndikimi politik, dënimet që qytetarët i konsiderojnë të ulëta dhe ryshfeti mbeten ndër shqetësimet kryesore. Sa u përket reformave, të anketuarit i dhanë përparësi forcimit të institucioneve ekzistuese ndaj krijimit të institucioneve të reja.
Gjykatat dhe prokuroritë kryesojnë në perceptimin për ndikim politik
Liridon Salihi, menaxher i projekteve në GLPS, tha se gjykatat u përmendën më shpesh si institucioni më i ndikuar nga politika, me 35,1 për qind të përgjigjeve. Pas tyre u renditën prokuroritë me 34 për qind dhe policia me 17,7 për qind.
Kur u pyetën se mbi çfarë bazohen vendimet gjyqësore, 43,9 për qind e të anketuarve thanë se gjyqtarët mbështeten te provat dhe ligji. Rreth gjysma vlerësuan se në këto vendime ushtrohet ndikim nga brenda ose jashtë sistemit të drejtësisë.
Rreth 48 për qind e të anketuarve e konsiderojnë ryshfetin ose korrupsionin të pranishëm në institucionet e drejtësisë. Gjykatat dhe prokuroritë u përmendën më shpesh në këtë kontekst. Policia mori vlerësimin më pozitiv për efektivitetin në luftimin e korrupsionit.
Policia, zgjedhja e parë për raportimin e rasteve
Rreth 70 për qind e pjesëmarrësve thanë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të raportojnë raste të korrupsionit ose vepra të tjera penale. Policia e Kosovës ishte institucioni ku të anketuarit do të drejtoheshin më së pari, me 87,4 për qind të përgjigjeve.
Rreth 5 për qind e të anketuarve thanë se ishin palë në një procedurë gjyqësore, kryesisht si palë të dëmtuara ose si paditës. Ndërkaq, 23,3 për qind kishin marrë shërbime nga gjykatat gjatë pesë viteve të fundit. Vlerësimi mesatar i këtyre shërbimeve ishte 3,5 në një shkallë nga 1 deri në 5.
Transparenca dhe llogaridhënia, fushat ku u pa përmirësim
Rreth 36 për qind e pjesëmarrësve thanë se kishin vërejtur përmirësim në sistemin e drejtësisë gjatë pesë viteve të fundit. Ata e lidhën përmirësimin kryesisht me transparencën dhe llogaridhënien.
Raporti trajtoi edhe ndjesinë e sigurisë në vend, për të cilën vlerësimi mesatar ishte 3,38. Sipas Salihit, të anketuarit i vlerësuan si mesatare dënimet në rastet e dhunës në familje. Ai tha se ky perceptim nxjerr në pah nevojën për të rishikuar politikën ndëshkimore për dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore.
Në prezantim u trajtua gjithashtu besimi i qytetarëve te Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.






