Thibaut Courtois dyshon se një portier mund ta fitojë sërish Topin e Artë. Belgu i Real Madridit thotë se golat dhe paraqitjet e lojtarëve ofensivë marrin më shumë vëmendje në garën për çmimin, ndërsa pritjet vendimtare të portierëve shpesh mbeten në plan të dytë.
Sipas Courtois, edhe një paraqitje e jashtëzakonshme e një portieri mund të errësohet nga goli i një sulmuesi në çastet vendimtare të ndeshjes.
Belgu solli si shembull renditjen e vitit 2022, kur përfundoi i shtati pas një sezoni të spikatur me Real Madridin. Atë vit, ai mori trofeun “Yashin” për portierin më të mirë, ndërsa Topi i Artë i takoi bashkëlojtarit të tij, Karim Benzema.
Lev Yashin mbetet portieri i vetëm që e ka fituar Topin e Artë, në vitin 1963. Manuel Neuer u rendit i treti në vitin 2014, pas Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.






