Liria e Prizrenit siguroi vendin e parë për stinorin vjeshtor në Ligën e Parë pas fitores 3:0 ndaj Rilindjes 1974. Trajneri Ismet Munishi beson se skuadra mund ta mbajë këtë ritëm deri në fund të sezonit dhe të rikthehet në Superligë, ku garoi për herë të fundit në edicionin 2023/2024.
Fitorja erdhi të dielën në stadiumin “Përparim Thaçi”, të mbushur me shikues, në ndeshjen e parë të zhvilluar aty nën dritën e reflektorëve. Liria e siguroi kreun e vjeshtës një ndeshje para përfundimit të stinorit.
“Besoj se më shumë ka nevojë Superliga për Lirinë se Liria për Superligën”, tha Munishi për KOHËN.

Munishi, i cili mori drejtimin e skuadrës në shkurt, tha se fillimi kishte qenë i vështirë. Ai veçoi rolin e drejtorit sportiv, Valon Bytyqi, i cili në bashkëpunim me kryesinë afroi lojtarët që kishte kërkuar stafi teknik. Trajneri vlerësoi edhe kontributin e ish-drejtuesve të klubit.
Sipas tij, Liria ka qenë bindëse në pjesën më të madhe të ndeshjeve dhe nuk ka humbur asnjë derbi. Ai ia atribuon rezultatet ritmit të lojës, organizimit në mbrojtje dhe angazhimit në sulm. Gjatë përgatitjeve dimërore, synon të rrisë cilësinë dhe konkurrencën brenda skuadrës.
Munishi thotë se refuzoi oferta për të qëndruar te Liria
Trajneri tha se ka refuzuar oferta nga klube të Superligës dhe nga jashtë Kosovës për të vazhduar punën në Prizren. Ai përmendi traditën e Lirisë, organizimin e klubit dhe mbështetjen e tifozëve si arsye për vendimin e tij.

“Klubi ka traditë të madhe, ka tifozeri të jashtëzakonshme. Prizreni e ka simbol Lirinë, identifikohet me Lirinë”, tha Munishi.
Ferizaj, prova e fundit në kampionat për këtë vjeshtë
Lirinë e pret edhe një ndeshje kampionale, ndaj Ferizajt. Munishi vlerësoi rezultatet e kundërshtarit nën drejtimin e Arbnor Morinës dhe pret një përballje të vështirë. Skuadra do të përgatitet edhe për Kupë, ndërsa pas një pushimi të shkurtër planifikon të zhvillojë fazën përgatitore në Shqipëri dhe Turqi.
Munishi pret që interesi për Lirinë të rritet në pranverë. Ai falënderoi grupin e tifozëve “Arbagjikët” dhe publikun prizrenas për mbështetjen gjatë stinorit, duke thënë se skuadra synon t’ua shpërblejë me lojë tërheqëse.
Në rikthimin e fundit në elitë, Liria kishte pritur katër vjet për ta siguruar ngjitjen. Qëndrimi në Superligë zgjati një sezon.







