Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, tha se ndryshimet në udhëheqjen e PDK-së dhe krijimi i blloqeve brenda saj e kanë dobësuar organizimin e partisë.
Sipas tij, problemet u thelluan në vitet pas shkuarjes së Hashim Thaçit në Hagë më 2020.
Duke folur në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, Haliti tha se mungesa e Thaçit la një boshllëk në udhëheqje. Ai kujtoi se Kadri Veseli, para se të shkonte edhe vetë në Hagë, ishte përpjekur të krijonte një kryesi të ngushtë për të vazhduar drejtimin e partisë.
Sipas Halitit, pas dorëheqjes së Enver Hoxhajt dhe ardhjes së Memli Krasniqit në krye të PDK-së, brenda partisë u krijuan disa blloqe. Ai tha se vështirësitë në udhëheqje vazhduan edhe gjatë periudhës së Bedri Hamzës, kur, sipas tij, një pjesë e anëtarëve të kryesisë e shihnin veten si më me peshë se kryetari.
Haliti e lidhi dobësimin e organizimit të PDK-së në terren edhe me mungesën e zgjedhjeve të brendshme, të cilat, sipas tij, nuk ishin mbajtur për shtatë vjet.






