Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave televizive që, sipas saj, i etiketojnë si “UDB-ashë” veprimtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe bashkëpunëtorët e afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Në një postim me rastin e përvjetorit të vrasjes së Xhemail Mustafës, Osmani kritikoi gjuhën e përdorur ndaj veprimtarëve të LDK-së. Ajo tha se deklarata të tilla, sipas saj, po përdoren për të njollosur edhe njerëzit që u vranë.
“Deri këtu paska arritur urrejtja ndaj LDK-së: të njollosen edhe ata që u vranë, vetëm pse kërkojmë të vërtetën për vrasjet e tyre dhe drejtësi për krimet që ende nuk janë zbardhur”, shkroi Osmani.
Ish-presidentja e lidhi gjuhën e përdorur në debatet televizive me klimën e përçarjes që, sipas saj, kishte shoqëruar atentatet ndaj veprimtarëve të LDK-së. Ajo tha se etiketime të tilla vazhdojnë të përsëriten edhe pas shumë vitesh.
“Të kërkosh drejtësi për të vrarët nuk është përçarje. Përçarje është të njollosësh viktimat, të arsyetosh krimet dhe të heshtësh përballë vrasjeve”, shkroi Osmani.






