Zona 24
  • Ballina
  • Lajme
  • Politike
  • Biznes
  • Edukim
  • Sporti
  • Opinione
  • Showbiz
  • Tech-Auto
  • Lifestyle
  • Ballina
  • Lajme
  • Politike
  • Biznes
  • Edukim
  • Sporti
  • Opinione
  • Showbiz
  • Tech-Auto
  • Lifestyle
No Result
View All Result
Zona 24
No Result
View All Result

“Blade Runner 2099” ka atmosferë me bollëk. Po çfarë po ndodh në ekran?

by Zona 24
23.11.2026
in Showbiz
Reading Time: 4 mins read
“Blade Runner 2099” ka atmosferë me bollëk. Po çfarë po ndodh në ekran?
Share on FacebookShare on Twitter

Vazhdimi i sagës fantastiko-shkencore në Prime Video ruan pamjen industriale dhe tingullin e zymtë të filmave. Por pas katër orësh mes tymit, errësirës dhe dialogëve që mezi dëgjohen, edhe një adhurues i “Blade Runner” mund të pyesë veten se çfarë po ndodh dhe pse kjo histori duhej të bëhej serial.

Rhik Samadder/The Guardian

LEXO EDHE

Zoja i shpall “beef” Erikut, kapet me banorin

“Ma keni kthy vitin 2012”, Valdeti rrëfen emocionet pas qëndrimit me Valdrinën

Si ka mundësi që James Bond ende nuk është bërë serial? “Harry Potter”, “The Lord of the Rings”, “Alien”, “Star Wars” – të gjitha kanë marrë rrugën e televizionit. Për platformat, llogaria është e thjeshtë. Një emër i njohur mban publikun para ekranit dhe krijon më shumë hapësirë për reklama. Po Bondi, ku Amazon ka gjithashtu interes? Ndoshta një burrë që çdo javë rreh dikë, josh dikë tjetër dhe prezantohet sikur po plotëson një formular, «Bond, James Bond», do të ishte pak si tepër.

Këto mendime më erdhën teksa përpiqesha të përfundoja episodet e “Blade Runner 2099”. Filmat i kam për zemër. Origjinali na njohu me vizionin e Philip K. Dick-ut, ku teknologjia ka depërtuar në çdo cep të jetës dhe pabarazia vetëm sa është thelluar. Mbikëqyrja, qeniet artificiale dhe korporatat me pushtet të pakufizuar gërryejnë çfarë ka mbetur nga shoqëria. Fakti që seriali i ri transmetohet në Amazon është gjëja më e afërt me një shaka që ofron.

Pastaj është vetë titulli. Çdo gjë që mbaron me «99» rrezikon të tingëllojë si çmim në ofertë. Nuk është e vështirë të përfytyrosh një reklamë që ndërpret episodin: «Blade Runner, vetëm 20,99 paund. Pret sipas masës linoleumin, vinilin, madje edhe panelet e tapës!» Prime Video tashmë ka reklama mbi të cilat mund të klikosh gjatë transmetimit. Ndoshta kjo ide s’u duket aq absurde sa ç’më duket mua.

Një histori që humbet në mjegull

Premisa funksionon. Kanë kaluar 50 vjet nga ngjarjet e “Blade Runner 2049” të Denis Villeneuve-it. Pas një katastrofe ekologjike, replikantët, njerëzit artificialë të kësaj bote, kanë marrë pushtetin. Tani janë ata që përbëjnë njësinë e blade runners dhe që ndjekin njerëzit kryengritës.

Cora, njëra prej tyre, depërton në policinë e Los Anxhelosit për të gjetur një objekt misterioz që mund të zbulojë një sekret të madh. Ajo punon përkrah një replikanteje të njësisë që po vdes. Kjo e fundit kërkon një efektiv të zhdukur, i cili nga ana e vet po kërkon… diçka. Në gjysmë të serialit, ende nuk e di çfarë po ndodh.

Krijuesit, megjithatë, i kanë qëndruar besnikë tonit të filmave. Kisha frikë se televizioni do t’ua zbuste atmosferën. Doli që për atmosferë kishin me tepricë.

Sintetizatorët e frikshëm, me tingullin karakteristik të viteve ’80, dëgjohen pothuajse në çdo skenë. Kur dialogun nuk e mbulon një shtresë zhurmash, e mbulon një bas aq i fortë sa dyshoj se ma ka ngadalësuar rritjen e bimëve të shtëpisë. Kur pushon basi, fillojnë vokalet që tingëllojnë si këngë liturgjike ose kërcitjet e rastit të makinerive. Pastaj vijnë temat e zisë, vetmisë dhe apokalipsit të robotëve.

Katër orë në errësirë

Pamjet industriale, drita në ngjyrë qelibari dhe shtëllungat e tymit janë mbresëlënëse. Pas njëfarë kohe bëhen edhe mbytëse. Të nisësh një episod të ri të jep ndjesinë sikur po hyn në turn në një minierë squfuri. Kamera ka kohë. Aktorët gjithashtu. Mes dy replikave ka pauza aq të gjata, sa të duket sikur pesha e distopisë i ka rraskapitur të gjithë. Dhe shumicën e kohës qëndrojnë në errësirë. Për altoparlantët e laptopit, kjo është një betejë e humbur.

Për mua, një vepër kaq e varur nga atmosfera funksionon më mirë në sallë kinemaje dhe me kohëzgjatjen e një filmi. Te “Blade Runner 2049”, fotografia e Roger Deakins-it i jepte rrëfimit hapësirë. Planet e fundit, të zbardhura nga bora, u jepnin formë temave të lindjes dhe zgjedhjes morale. Ai film dinte si ta mbyllte historinë. “Blade Runner 2099” na zhyt në një botë edhe më të errët dhe, pas katër orësh, ende nuk e kuptoj pse.

Mbase tingëllon çuditshëm nga një kritik televizioni, por disa histori do të funksiononin më mirë si filma. Hunter Schafer, që luan Corën, dhe Michelle Yeoh, në rolin e replikantes që po vdes, mund të kenë bërë punë të shkëlqyer. Do të doja t’i shihja e t’i dëgjoja aq mirë sa të mund ta gjykoja.

Nëse të pëlqen cyberpunk-u, të kënaq zymtësia dhe nuk të prish punë të shohësh aktorë që mezi dallohen duke thënë fjalë që mezi dëgjohen, ky mund të jetë seriali yt. Për të tjerët, mbetet një pyetje. Pse të kalosh kaq shumë orë në një botë të dënuar, kur mund të hapësh dritaren dhe të shohësh botën reale? Ajo transmetohet drejtpërdrejt.

TE TJERA

Katër arrestime të reja në hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt

Katër arrestime të reja në hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt

24.11.2026
Surroi kritikon strategjinë e mbrojtjes në Hagë dhe tregon ku duhet të përqendrohet Apeli

Surroi kritikon strategjinë e mbrojtjes në Hagë dhe tregon ku duhet të përqendrohet Apeli

24.11.2026
Anketa e GLPS-së: Gjashtë në dhjetë të anketuar shohin ndikim politik në drejtësi

Anketa e GLPS-së: Gjashtë në dhjetë të anketuar shohin ndikim politik në drejtësi

24.11.2026
FSK-ja dhe Akademia e Forcave të Armatosura të Shqipërisë synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin

FSK-ja dhe Akademia e Forcave të Armatosura të Shqipërisë synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin

24.11.2026
Apple raporton probleme me App Store, Apple Music dhe iCloud

Apple raporton probleme me App Store, Apple Music dhe iCloud

24.11.2026
Porositë paraprake të GTA VI u vlerësuan në mbi 1,5 miliardë euro

Porositë paraprake të GTA VI u vlerësuan në mbi 1,5 miliardë euro

24.11.2026
Zona 24

Follow us

No Result
View All Result
  • Homepages
    • Home Page 1
  • Lajme
  • Politike
  • Biznes
  • Sporti
  • Showbiz
  • Lifestyle
  • Opinione
  • Tech-Auto

© 2026 Zona 24.