Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Banka Botërore kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e eko-parqeve industriale në Kosovë. Nisma synon të zgjerojë prodhimin vendor, të tërheqë investime private dhe të krijojë vende pune, duke zbatuar standarde mjedisore në zonat industriale.
Kryeministri Albin Kurti tha se zhvillimi i parqeve industriale është një nga mënyrat për të ngushtuar hendekun mes importeve dhe eksporteve. Sipas shifrave që ai paraqiti, Kosova importoi rreth shtatë miliardë euro mallra gjatë vitit 2025, ndërsa eksportet arritën në rreth një miliard euro.
Kurti tha se synimi është që një pjesë e mallrave që sot importohen të prodhohen në Kosovë, duke krijuar kushte më të favorshme për bizneset vendore dhe investitorët e huaj. Sipas tij, zhvillimi i parqeve do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës, me dy parqe të planifikuara në veri të vendit.
Prodhimi i komponentëve të ndërtimit shihet si sektor me potencial
Ministrja Mimoza Kusari-Lila tha se marrëveshja synon të zgjerojë zbatimin e standardeve ndërkombëtare për eko-parqet industriale. Sipas saj, krahas vëllimit të prodhimit, rëndësi ka mënyra se si bizneset i shfrytëzojnë burimet dhe çfarë ndikimi ka veprimtaria e tyre në mjedis dhe në komunitet.
Duke iu referuar një raporti të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), Kusari-Lila veçoi prodhimin e komponentëve për ndërtim si një sektor me potencial për ekonominë e Kosovës. Ajo përmendi përpunimin e metaleve dhe prodhimin e dyerve, dritareve, mobilieve, materialeve izoluese dhe sistemeve të ngrohjes.
Banka Botërore vë theksin te përdorimi i burimeve
Carole Megevand, menaxherja e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, tha se eko-parqet mund t’i ndihmojnë bizneset ta përdorin më me efikasitet energjinë dhe ujin, si dhe të përmirësojnë menaxhimin e mbetjeve.
Sipas saj, përmbushja e standardeve që kërkon tregu i Bashkimit Evropian mund t’u hapë më shumë mundësi eksporti produkteve me etiketën “Made in Kosovo”.
Mbështetje për nismën shprehu edhe shefi i bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Hubert Perr. Ai tha se modeli i eko-parqeve industriale po promovohet edhe në Bashkimin Evropian si një mënyrë për të rritur konkurrueshmërinë e industrisë dhe për ta bërë prodhimin më të qëndrueshëm.






