Për dekada, filmat për Evropën e pushtuar nga nazistët e rrëfyen luftën kryesisht nga këndvështrimi i atyre që i bënë ballë pushtimit. Tani, një brez i ri kineastësh po e zhvendos vëmendjen te njerëzit që bashkëpunuan me pushtuesit. Filmat e tyre ngrenë pyetje për përgjegjësinë, për mënyrën si u ndëshkua bashkëpunimi dhe për çmimin që mund të paguanin të tjerët për një akt rezistence.
Një shërbyese e re i çon të zotit të shtëpisë kafenë në një filxhan porcelani dhe lustron takëmet e argjendta. Në apartamentin me tavane të larta, parketi shkëlqen nën llambat e Poul Henningsenit. Skenat e para të “Woman Unknown”, fitues i Luanit të Artë në Festivalin e Venecias, zhvillohen menjëherë pas çlirimit të Danimarkës. Nga ajo që shihet në apartament, zor se do ta merrje me mend se vendi sapo ka dalë nga pesë vjet pushtimi, me ligj ushtarak dhe ushqime me racion.
Dhuna e luftës rikthehet në kujtesën e vajzës me pamje të shkurtra e të turbullta. Pistoleta të drejtuara në tëmtha, trupa që bien përtokë, një pëlhurë e kuqe që valëvitet. Është flamuri danez me kryqin e bardhë. Burrat e veshur me të zeza janë pjesëtarë të rezistencës që po ndëshkojnë bashkëpunëtorët e pushtuesit.

Marie kishte pasur marrëdhënie intime me një oficer gjerman. Tani jeton me frikën e poshtërimit publik që i priste në rrugët e Kopenhagës gratë e akuzuara për të ashtuquajturin «bashkëpunim horizontal». Për të, dita e çlirimit shënon fillimin e një frike të re. Filmi i regjisores May el-Toukhy pyet pse sjellja e Maries duhej gjykuar më ashpër se ajo e punëdhënësit të saj, një pronar fabrike që ruajti pasurinë duke vazhduar tregtinë me gjermanët.
Kur bashkëpunëtori zë vendin qendror
“Woman Unknown” është një nga disa prodhime të reja që rikthehen te pushtimi nazist përmes personazheve që bashkëpunuan me të. “A Man of His Time” i Emmanuel Marre, i njohur në Francë si “Notre Salut”, ndjek një burokrat karrierist që ngjitet në administratën e regjimit të Vishisë. Në “Rays and Shadows”, Xavier Giannoli portretizon Jean Luchaire-in, një pacifist që mbështeste pajtimin franko-gjerman dhe që përfundoi si propagandist i zellshëm i bashkëpunimit me nazistët.

Kinemaja evropiane është marrë prej kohësh me këto tema. Roberto Rossellini xhiroi “Rome, Open City” në rrugët e kryeqytetit italian pak muaj pas çlirimit. Në “The Last Metro” të François Truffaut-së, pronarët e një teatri në Montmartre fshehin hebrenj në bodrum. “Black Book” i Paul Verhoeven-it ndjek një spiune hebreje që depërton në radhët e nazistëve.
Kur Louis Malle realizoi “Lacombe, Lucien” më 1974, historia e një 17-vjeçari nga fshati që përfundon në shërbim të Gestapos shkaktoi skandal në Francë. Regjisori u akuzua se po shmangte marrjen e një qëndrimi. Sot, ndërsa partitë e së djathtës ekstreme po fitojnë terren në Evropë, rikthimi te perspektiva e bashkëpunëtorëve e ngre sërish pyetjen se ku mbaron përpjekja për të kuptuar zgjedhjet e tyre dhe ku fillon zbutja e përgjegjësisë.

Sa njerëz mund t’i bënin ballë pushtimit?
Historiania Halik Kochanski, autore e një studimi krahasues për rezistencën evropiane gjatë Luftës së Dytë Botërore, thotë se pas vitit 1945 zuri rrënjë ideja se Evropa ishte çliruar vetë. Sipas vlerësimit të saj, pjesëmarrja aktive në rezistencën e armatosur në shumicën e vendeve nuk i kalonte pesë për qind të popullsisë.
Mundësitë për të kundërshtuar pushtimin ndryshonin nga një vend në tjetrin. Në Poloni, politika gjermane synonte copëtimin e vendit, asgjësimin e elitës intelektuale dhe zhdukjen e shenjave të identitetit kombëtar. Për shumë polakë, rezistenca u bë çështje mbijetese. Në Danimarkë, gjermanët fillimisht e lanë mbretin në fron dhe lejuan mbajtjen e zgjedhjeve. Rezistenca mbeti më e kufizuar deri në vendosjen e ligjit ushtarak më 1943.

Në Francë, kundërshtimi u zgjerua kur pushtuesit nisën të impononin punën e detyruar. Siç shpjegon Kochanski, regjimi i Vishisë dhe administratat bashkëpunuese në Vendet e Ulëta pretendonin se po e mbronin popullsinë nga masat më të rënda gjermane. Ky justifikim u dobësua kur vetë autoritetet vendore nisën të thërrisnin qytetarët për punë të detyruar dhe të merrnin pjesë në grumbullimin e hebrenjve për deportim.
Edhe ndarja mes heronjve dhe bashkëpunëtorëve mund të bëhet më e ndërlikuar kur hapen arkivat. Në Norvegji, figura e Vidkun Quislingut mishëronte bashkëpunimin me nazistët. Por historiani i letërsisë Narve Fulsås ka gjetur se veprat e nobelistes dhe antifashistes Sigrid Undset vazhduan të botoheshin në Gjermani deri më 1940, edhe pasi botuesi i saj ishte marrë nga pronarë johebrenj nën regjimin nazist dhe themeluesi hebre ishte dërguar në një kamp përqendrimi.
Kush e paguante çmimin e rezistencës?
Pjesëmarrja në rezistencë mund të sillte torturë ose vdekje, ndërsa hakmarrja e pushtuesve mund të binte mbi njerëz që s’kishin marrë pjesë në asnjë aksion. Më 10 qershor 1944, një njësi e Waffen-SS vrau qindra civilë në fshatin francez Oradour-sur-Glane.

Kochanski e shpjegon dilemën me një situatë hipotetike. Kushdo mund të vendosë ta marrë mbi vete rrezikun e strehimit të një miku hebre. Edhe një grup miqsh mund të vendosë të ndihmojë dhe ta marrë përsipër të njëjtin rrezik. Por a ka dikush të drejtë të marrë një vendim që mund të çojë në ekzekutimin e njerëzve të tjerë, pa ua kërkuar pëlqimin?
Bernhard Fulda, profesor i historisë moderne në Universitetin e Cambridge-it, ndonjëherë i pyet kandidatët për studime nëse do t’i ishin bashkuar rezistencës në Gjermaninë naziste. Përgjigjet e sigurta e bëjnë skeptik. Pa e përjetuar jetën nën diktaturë, thotë ai, është e vështirë të dish nëse do të kishe kundërshtuar hapur, do të ishe përpjekur të kaloje pa u vënë re apo do të kishe shfrytëzuar ndonjë mundësi për të ecur përpara në karrierë.
Dy filmat francezë e bëjnë të dukshëm hendekun mes motiveve që personazhet i atribuojnë vetes dhe pasojave të veprimeve të tyre. Në “Rays and Shadows”, pozita e Luchaire-it i lejon të sigurojë dokumente për arratisjen e miqve dhe të afërmve hebrenj. Ai toleron edhe një grup të rezistencës që shtyp fletushka antinaziste në bodrum. Megjithatë, filmi e paraqet ruajtjen e jetës së tij mondane si motivin kryesor të bashkëpunimit.
Në “A Man of His Time”, administratori i Vishisë, i frymëzuar nga stërgjyshi i regjisorit, këmbëngul se po kufizon dëmin. Kur gjermanët kërkojnë 25 kamionë për deportimin e hebrenjve, ai u jep pesë, me gjysmën e karburantit të kërkuar. Burokrati bind veten se ka bërë ç’ka mundur. Kamionët, megjithatë, vihen në dispozicion të deportimit.
Rezistenca që rrallë hyn në film
Kochanski kujton se kundërshtimi mund të merrte forma të heshtura. Një punëtor ferme mund të shënonte furnizimet me qumësht për një njësi gjermane dhe t’ia kalonte informacionin një rrjeti që ndiqte lëvizjet e trupave. Në Norvegji, dorëheqjet e zyrtarëve të drejtësisë dhe të kishës, bojkoti i shoqatave sportive dhe letrat e protestës drejtuar ministrisë së arsimit ndihmuan në pengimin e planeve të Quislingut për ta nënshtruar vendin ndaj ideologjisë naziste.
Në Holandë, një grup artistësh që e quante veten Qendra e Kartave të Identitetit prodhoi rreth 80 mijë dokumente identiteti dhe karta racionimi të falsifikuara për njerëzit që jetonin të fshehur. Rrjeti u zbulua dhe shumica e anëtarëve u ekzekutuan.

Fotografja Violette Cornelius dokumentoi punën e grupit. Negativët u varrosën në lindje të Holandës për të mbrojtur identitetin e anëtarëve dhe dolën në dritë shumë kohë pas luftës. Cornelius më pas iu bashkua një kolektivi që dokumentoi muajt e fundit të pushtimit me aparate të fshehura nën pallto dhe në çanta pazari. Sipas Loes van Harrevelt, kuratores së ekspozitës në Nederlands Fotomuseum në Roterdam, disa fotografë përdorën aftësitë e tyre për të ndihmuar me dokumentet e falsifikuara, ndërsa shumë prej tyre kishin bërë edhe portretet për dokumentet zyrtare të vendosura nga pushtuesit.
Për publikun evropian, filmat për Luftën e Dytë Botërore mbeten një mënyrë për të kuptuar të kaluarën dhe për të imagjinuar si do të sillej secili në rrethana të ngjashme. Filmat e rinj ia heqin kësaj pyetjeje përgjigjen e lehtë. Në vend të sigurisë se do të kishim zgjedhur anën e duhur, mbetet pyetja se çfarë do të kishim rrezikuar, kë do të kishim vënë në rrezik dhe me çfarë do ta kishim justifikuar zgjedhjen tonë.
“A Man of His Time” dhe “Rays and Shadows” shfaqen në Festivalin e Filmit Francez në Londër. Ekspozita e Violette Cornelius në Nederlands Fotomuseum qëndron e hapur deri më 28 shkurt 2027. “Woman Unknown” pritet të dalë në kinematë britanike në mars 2027.
Burimi: The Guardian – shkrimi origjinal · La Biennale di Venezia – çmimet zyrtare të vitit 2026






